Reprezentuesi i Kosovës Lindon Emërllahu është larguar nga Ballkani për të vazhduar karrierën e tij në Rumani, përcjell TV21. Mesfushori Emërllahu do të prezantohet si lojtar i CFR Cluj pasi të përfundojë me testet mjekësore.

Për të siguruar nënshkrimin me Lindon Emërllahu klubi rumun do të paguaj 700 mijë euro, teksa Ballkani do të ruajë 15% të kartonit të tij për shitjen e radhës.

Për blerjen e mesfushorit Lindon Emërllahu ka folur edhe drejtuesi i klubit CFR Cluj Nelu Varga. Siç shkruajn mediat rumune Varga është tejet i kënaqur me arritjen e marrëveshjes për blerjen e Emërllahut. Varga mesfushorin shqiptar e ka krahasuar me Mateo Kovacic të Manchester City.

“Bëmë një lëvizje të vërtetë në ditën e fundit të transferimeve dhe morëm Lindon Emerllahun nga Ballkani. Ai është ndoshta numri 6 më i mirë që ka ardhur ndonjëherë në Rumani. Kam paguar 700 mijë euro për të, plus 15 për qind për një transferim të ardhshëm. Është një futbollist i jashtëzakonshëm, do të lërë menjëherë gjurmë në lojën e CFR-së. Ka pasur edhe lojtarë të tjerë nga Kosova, por Emërllahu është një nga futbollistët më të vlefshëm që kemi arritur të sjellim. Është një transferim që e mbajtëm të fshehtë, sepse donim shumë që ky futbollist të vinte në CFR Cluj. Ai është lloji i lojtarit që bën diferencën dhe që do të na ndihmojë të fitojmë titullin kampion. Nëse më duhej ta krahasoja me dikë, atëherë ai është si Mateo Kovacic i Manchester City”, ka thënë Nelu Varga, përcjell mediumi rumun fanatik.ro. 

Kujtojmë se Lindon Emërllahu kishte kontratë me Ballkanin deri në vitin 2026 dhe paraqitjet e tij të mira kishin bërë që ai të merrte ftesën edhe nga kombëtarja e Kosovës.