Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ministria e Punëve të Brendshme në 24 orët e fundit ka arrestuar 2 persona për dhunë familjare dhe 6 persona për drejtim të pa kontrolluar të automjeteve. Siç njoftojnë nga MPB, sot në ora 04 të mëngjesit një grua 29 vjeçare ka denoncuar partnerin e saj jashtëmartesor Sh.G (32) se më 13 maj në ora 12, në banesën e tyre janë sulmuar ajo dhe dy fëmijët e saj. Gjithashtu një ditë më parë në ora 22:00 gruaja 66 vjeçare ka denoncuar në polici nipin e saj 19 vjeçar pasi për një kohë të gjatë i ka keqtrajtuar atë dhe bashkëshortin e saj duke u kërkuar të holla.
Dje në ora 16:25 policia ka arrestuar 51 vjeçarin nga një fshat i Radovishit pasi i njëjti ka sulmuar bashkëshorten 40 vjeçare nga lidhja jashtë martesore. Gjithashtu në Strumicë është arrestuar 31 vjeçari pasi fizikisht ka sulmuar vëllain e tij. Për dy rastet e fundit policia do të dorëzojë kallëzim adekuat penal.
Por arrestimet nuk ndalojnë këtu. Në 24 orët e fundit janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë për drejtim të pa kontrolluar të automjeteve.
“Një shofer nga Kërçova ka drejtuar makinën edhe pse ka pasur paraprakisht ndalesë. Pesë të tjerë janë ndaluar pasi kanë vozitur pa patent shoferi. Bëhet fjalë për tre raste në Shkup, një në Tetovë dhe një në Gostivar. Ky i fundit ka drejtuar makinën nën ndikim të alkoolit”, njoftojnë nga MPB.
Nga MPB apelojnë deri te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e komunikacionit, të mos ngasin pa patentë shofer apo nëse u është shqiptuar ndalesë, të mos ngasin nën ndikim të alkoolit me qëllim që të gjithë të kontribuojnë për komunikacion më të sigurt./Alsat.mk
The post 24 orë plot punë për policinë, tetë të arrestuar për dhunë dhe sjellje të pa kontrolluar në komunikacion appeared first on Alsat.
