Marrëveshja e Ohrit, edhe 24 vite pas nënshkrimit, mbetet sinonim se si në mënyrë paqësore të përfundojë konflikti dhe të kthehemi drejt ndërtimit të së ardhmes. Pikërisht më 13 gusht 2001, në Ohër, atëherë liderët e 4 partive më të mëdha – Ljupço Georgievski i VMRO-DPMNE, Branko Cërvenkovski i LSDM, Arben Xhaferi i PDSH dhe Imer Imeri i PPD-së – hodhën nënshkrimet e tyre mbi marrëveshjen paqësore, ashtu si edhe garantët e kësaj marrëveshjeje: ish-presidenti Boris Trajkovski dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë Fransua Leotar dhe Xhejms Perdju. Në fjalimin solemn në Qeveri, kryeministri Hristijan Mickoski tha se kjo marrëveshje është dëshmi e guximit të liderëve të atëhershëm, të cilët nuk donin ndarje dhe sollën paqe.
“Sot, 24 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë, qëndrojmë këtu jo vetëm për të kujtuar një datë historike, por për të kujtuar një të vërtetë të thellë – se shtetin e kemi vetëm nëse e ruajmë së bashku. Marrëveshja Kornizë nuk është vetëm një fletë letre, ajo është simbol i pjekurisë, i guximit dhe i mençurisë. Ajo është kujtesë se, pavarësisht se sa dallojmë në gjuhë, fe, kulturë apo përkatësi etnike, të gjithë ndajmë një histori dhe një të ardhme të përbashkët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti tha se Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm marrëveshje paqeje, por edhe themel për një qasje të re në ndërtimin e shtetit.
Me një video-fjalim u paraqit edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se kontributi i shqiptarëve ndër vite ka rezultuar me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe fqinjësore.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit iu dha fund konfliktit shtatëmujor të vitit 2001, dhe më pas, përmes amendamenteve, ajo u bë pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë.
