Gazetar: Suad Bajrami

Në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë prej orës 7 të mëngjesit këshillat zgjedhor kanë nisur procesin e votimit të personave të pafuqishëm, kurse nëpër burgje votojnë të burgosurit, në zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune, pasi që më 19 tetor të vitit të kaluar dështoi procesi zgjedhor për shkak se nuk u arrit censusi. Nga KSHZ informojnë se procesi i votimi në katër komunat ka nisur në kohë dhe vijon pa probleme.

“Gjithsej 249 persona të sëmurë ose të pafuqishëm mund ta realizojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Prej tyre, 146 persona janë paraqitur për votim në Gostivar, 32 në Vrapçisht, 69 në Mavrovë Rostushë dhe 2 persona në Qendër Zhupë. Me fillim në orën 7:00 në gjithsej 7 ente përmirësuese, të drejtën e votës mund ta realizojnë 94 persona që janë duke vuajtur dënim me burg ose paraburgim”, thonë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ndërkohë nga KSHZ informuan se për ditën e nesërme gjithçka është gati. Materiali i besueshëm zgjedhor është shpërndarë në Komisionet Komunale Zgjedhore dhe prej andej do të merren nga Këshillat Zgjedhore. Për ditën e nesërme, të drejtë vote për këto katër komuna kanë gjithsej 128.286 qytetarë. Edhe atë, 82.870 qytetarë në Gostivar, 27.279 në Vrapçisht, 10.575 në Mavrovë Rostushë dhe 7.562 qytetarë në Qendër Zhupë.

Për dallim prej zgjedhjeve komunale të 19 tetorit kur sipas Kodit Zgjedhor nevojiten që së paku një e treta e listës së votuesve të dalin për të votuar që të zgjidhet kryetar, në zgjedhjet e përsëritura nuk ka census.

Për shkak zgjedhjeve në këto katër komuna në mbarë vendin sot është heshtje zgjedhore e cila mbaron nesër në ora 19, kur edhe mbyllen kutitë e votimit.

Me mbarimin e këtyre zgjedhjeve, mbaron edhe mandati i përbërjes së KSHZ-së, të cilët do të jenë në funksion derisa të zgjidhen anëtarët e rinj./ Alsat.mk

The post 249 persona të sëmurë dhe 94 persona të burgosur sot votojnë në zgjedhjet e përsëritura appeared first on Alsat.