Më 25 nëntor 2024, do të mbahet edicioni i 25-të i Festivalit të Këngëve për Fëmijë “Ylberi”, transmeton TV21.
“Ylberi”, do të mbledhë këngëtarët dhe artdashësit në Teatrin Popullor në Shkup, ndërkaq pritet të fillojë në ora 17:00.
Adem Ymeri dhe Pleureat Gashi kanë qenë mysafir në emisionin e pasdites në TV21, “Pastel” ku kanë shpalosur detaje nga ky edicion.
Gashi, si producent i festivalit tha se ky vit është më i veçanti nga katër edicionet e kaluara, pasi sipas tij ka shumë fëmijë të talentuar.
“Ka katër vite që punoj me festivalin dhe sivjet kam pasur kënaqësinë e veçantë të punoj me stafin drejtues të Ylberit shkaku se fëmijët janë shumë të talentuar. Nuk mund ta veçoj asnjë, sepse do të bëja padrejtësi”, tha Gashi.
Ndërkaq Ymeri edhe pse paraprakisht tregoi se ky Festival do të mbledhë fëmijë nga të gjitha vendbanimet shqiptare nga rajoni, i pyetur për sfidat që ka pasur gjatë organizimit dhe ekzistimit, ndaloi edhe në vështirësitë financiare dhe në mosrealizimit të ëndrrës – institucionalizimin e “Ylberit”.
“Kam pritur vite që të kalojnë që ky festival të etablohet. Më duket edhe kisha fantazuar që do të jetë edhe institucional, se do të na ndihmojnë ata që janë në institucione. Kemi pasur kërkesa, jo vetëm “Ylberi”, por edhe “Zllate Sllavejçe”, kemi pasur takime me ministra të ndryshëm që këto dy festivale të hyjnë në plan dhe të institucionalizohen që mos të ndodh çdo vit të humbasin energji dhe vullnet për punën e cila nuk është e lehtë aspak. Unë si producent ju garantoj se shumë më lehtë e kam të punoj me të mëdhenj, me zbavitëse, me pop, rock… Më lehtë e kisha organizuar për të mëdhenjtë sesa për fëmijët. Janë sfida, duhet ta kuptosh fëmijët, nënën, babain, prindërit të cilët i falënderoj sepse edhe ata janë pjesë e investimit në Ylberi sipas nevojës. Unë me bizneset asnjëherë nuk kam dashur të prekem, sepse ka apo nuk ka mundësi, është çështje e tyre, problemi është me institucionet” – tha Ymeri./TV21
