Të punësuarit e NPK Tetova kanë 27 muaj pa sigurim shëndetësor-pensional dhe 2 rroga të pa paguara, atë të janarit dhe shkurtit. Kjo ka ardhur pasi më 18 mars u bllokua llogaria e ndërmarrjes nga ana e Drejtorisë për të Ardhura Publike.
“Me kontributet pak është puna ngarkuar, janë akumuluar vite ta pa paguara kontributet, jemi në rrjedha me një potencial për t’i realizuar, jemi në kontakt me drejtorin dhe kryetarin e komunës ku na kanë premtuar se shumë shpjet do rregullohet pagesa. Me rroga lart-poshtë nuk jemi keq, kemi të pa marrë rrogën e janarit dhe shkurtit, por para festës na bllokun xhirollogarinë ku edhe ngecëm me rrogën e janarit”, deklaroi Avzi Rizvani – përfaqësues i Sindikatës.
Kryetari i Tetovës Bilall Kasami, i cili e ka marrë si obligim të paguajë kontributet e ndërmarrjes komunale NPK Tetova, thotë se për t’u paguar ato, duhet të sigurohen një shumë e madhe financiare.
“Është një obligim i lartë financiar që kalon mbi 40 milionë denarë, për kontributet e ndërmarrjes komunale që i bie se komuna do të duhet të siguroj të ardhura të jashtëzakonshme do kisha thënë dhe jemi duke punuar që në momentin e parë që të sigurohen këta të ardhura të bëhet pagesa e atyre kontributeve, ajo që është fokusi jonë në këto momente është që të marrin rroga në kohë dhe deri më tash i kanë marr rrogat në kohë”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Në kohën kur mbledhja e mbeturinave iu dha me koncesion kompanisë private, të punësuarit e kësaj ndërmarrjeje kishin 12 muaj sigurim shëndetësor të pa paguar dhe komuna e Tetovës mori përsipër që të mbulon sigurimin shëndetësor dhe një pjesë të rrogave të pa paguara. Komuna disa herë ka ndarë mjete financiare për të mbuluar rrogat e këtyre të punësuarve, por përsëri ndodhin vonesa.
