3 PERSONA NGA SHKUPI PËRFUNDUAN NË PRANGA

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim kundër 3 personave nga Shkupi nën dyshimin se kanë kryer vepra penale “Shoqërim kriminal” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Bëhet fjalë për personat me iniciale B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25). Sipas organit të akuzës personat kanë vepruar të organizuar dhe koordinuar, si grup i bazuar në narrativë të ideologjisë së islamit radikal. Gjatë bastisjeve të djeshme është gjetur një pushkë automatike me dy krehër dhe 44 plumba, dy pistoleta dhe tre krehër dhe 14 plumba, një pushkë gjuetie, një pushkë ajri, një bombë tymuese, municione nga kalibra të ndryshëm, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale.

“Ekziston dyshimi se personat janë organizuar për hakmarrje ndaj vëllezërve të tyre të cilët gjatë vitit ë kaluar janë akuzuar dhe dënuar për veprën penale “organizatë terroriste”… Ekziston dyshimi se kanë ndërmarrë aktivitete për mbledhje të parave brenda dhe jashtë të cilat janë shfrytëzuar për propagandë dhe aktivitete të shtetit islamik, por edhe për furnizim të armëve”, u shprehen nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar

Nga Prokuroria sqarojnë se hakmarrja është planifikuar ndaj të arrestuarve për rastin e janarit të vitit të kaluar kur me ndihmën e Agjencisë për Siguri Kombëtare u vunë në pranga katër persona nga Shkupi dhe Gostivari. Ata kishin krijuar organizatë terroriste, ndërsa në rrjetin social Telegram kishin shpërndarë materiale propaganduese për organizatën e njohur terroriste ISIS, por edhe kanë rekrutuar anëtarë të rinj. Gjatë bastisjeve u ishin gjetur armatim dhe prova tjera materiale. Nga Ministria e Brendshme, asokohe kanë informuar se të arrestuarit kanë planifikuar sulme terroriste në objekte publike në vend./Alsat.mk