30 vezë, 400 denarë! Qytetarët të revoltuar, Ministria e Ekonomisë monitoron çmimet

Çmimi i një pakete me 30 vezë në treg arrin deri në 400 denarë. Qytetarët të revoltuar thonë se çmimet janë shumë të larta, ndërsa çmimi i një pakoje me vezë ka tejkaluar edhe çmimin e një pule të gatshme të pjekur, e cila shkon deri në 350 denarë. Qytetarët presin që qeveria të ndërmarrë masa, ndërsa thonë se çmimet kanë tejkaluar edhe ato të Bashkimit Evropian.

“Si nuk është shumë 400 denarë një tabëll vezë? Si nuk është shumë e tepërt. A duhet të merren masa nga qeveria, nga ministria? Duhet, duhet të marrin masa.”

“Shumë, si nuk është shumë.”

“Katastrofë, si nuk është shumë. Ata e kanë rritur çmimin për materialet, por nuk është e vërtetë, brenda dy ditësh këta e kanë hipur shumë.

A mendon se duhet të merren masa për të ulur çmimin?”

“Po të mos bëjmë ne qytetarët ndonjë protestë, vetëm fjalë boshe nga qeveria. Unë jam habitur kur i kam parë, 390-400 denarë, aty ka një privatë, janë pak si tepër, si të gjitha të tjerat.”

“Shumë shtrenjtë janë 400 denarë, shumë shtrenjtë. Duhet të marrin masa institucionet, për atë i kemi zgjedhur, le të marrin masa.”

“Shtrenjtë janë, nuk janë për rrogat tona. Jo, shumë të shtrenjta, më shtrenjtë se në Gjermani janë. Qeveria duhet të marrë masa, për atë i kemi votuar.”

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se janë duke monitoruar çmimet në treg dhe inspektorati është në terren për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.

MINISTRIA E EKONOMISË:

“Ne vazhdimisht i monitorojmë çmimet përmes Inspektoratit të Tregut dhe reagojmë në mënyrë aktive kur është e nevojshme. Duhet theksuar se çmimi i vezëve varet kryesisht nga produktet e tregut global, siç është soja që përdoret për prodhimin e ushqimit për pula, gjë që e bën çmimin të jetë i varur nga luhatjet në treg. Megjithatë, institucionet mbeten të përkushtuara për të kontrolluar dhe monitoruar çmimet dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.”

Çmimet në treg të vezëve kanë qenë nga 200 denarë deri në 300 denarë më parë, ndërsa vetëm për tre ditë çmimi i vezëve u rrit nga 350 deri në 400 denarë, që do të thotë se një vezë arrin rreth 13,3 denarë.