Banka Qendrore e Kazakistanit ka planifikuar të investojë rreth 350 milionë euro në kriptovaluta dhe në sektorin e aseteve digjitale financiare.

Lajmin e bëri të ditur guvernatori i bankës, Timur Suleimenov, gjatë një konference për media, duke theksuar se aktualisht po përgatitet lista e instrumenteve ku do të investohen fondet.

“Aktualisht po zhvillojmë një listë instrumentesh ku do të investojmë. Kjo nuk përfshin vetëm kriptovalutat”, deklaroi Suleimenov, duke shtuar se një pjesë e investimeve do të drejtohet edhe drejt kompanive teknologjike që lidhen me kriptovaluta dhe asete digjitale financiare.

Sipas tij, investimet pritet të nisin gjatë periudhës prill-maj.

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më 1 shkurt rezervat e bankës arrinin në rreth 69.4 miliardë dollarë, ndërsa asetet e fondit kombëtar të Kazakistanit kapin vlerën e 65.23 miliardë dollarëve.