Nga ky muaj, mësimdhënësit e arsimit fillor dhe atij të mesëm do të marrin paga më të larta për 5%. Kryetari i SASHK-ut Jakim Nedelkov, tha se janë të kënaqur edhe me marrëveshjen që në vazhdimësi të ketë rritje të pagave.

Mund të them me kënaqësinë më të madhe se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm, kjo do të thotë se prej këtij muaji, prej pagës së tetorit, të punësuarit e arsimit të mesëm dhe fillorë do të kenë rritje të pagave prej 5%, tha Jakim Nedelkov, kryetar i SAShK-ut.

Kryeministri Hristijan Mickoski thekson se prej muajit mars mësimdhënësit do të kenë rritje prej 7%, ndërsa në vazhdimësi deri në vitin 2028 do të vazhdojnë t’ua rrisin pagat deri në 12%.

Prej pagës së muajit tetor, që do të paguhet në nëntor, dhe deri në pagën e shkurtit që do të bëhet pagesa në mars të vitit 2025, do të kemi rritje prej 5% të pagave, pas asaj në mars të vitit 2025 do të kemi rritje prej 7%. Në mars të vitit 2026 në varësi të gjendjes buxhetore financiare do të kemi rritje në mes 7.5% dhe 10%. Njëjtë në varësi të gjendjes së buxhetit në mars të 2027-ës do të kemi mes 7.5 dhe 10%. Po ashtu në mars të vitit 2028 do të kemi në mes 10 deri 12.5% rritje të pagave, sqaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Reaguan nga opozitarja LSDM të cilët e konsiderojnë se Qeveria po i nënvlerëson mësimdhënësit dhe punën e tyre, duke thënë se arsimtarët nuk kanë nevojë për çmime ngushëlluese, por rritje reale të pagave e cila sipas tyre duhet të jetë 12%.

Mësimdhënësit meritojnë më shumë respekt dhe mbështetje për punën dhe përpjekjen e tyre në edukimin e brezave të ardhshëm, jo minimale, rritje kozmetike pagash që nuk korrespondojnë me nevojat reale. Mickoski dhe kolegët e tij në fushatën parazgjedhore premtuan përmirësim të dukshëm të standardit jetësor të mësimdhënësve, por tani kur janë në pushtet i harruan premtimet dhe u hodhën në manipulim. Manipulimi padyshim ka për qëllim që të parandalohet grevën e paralajmëruar në arsim dhe jo të takohet me mësimdhënësit, thonë nga LSDM.

Përndryshe para 1 muaji u organizua protestë nga ana e LSDM-së me disa mësimdhënës, të cilët kërkuan rritje të pagave, por Sindikata e Pavarur për Arsim Shkencë dhe Kulturë nuk mori pjesë, pasi që e konsideroi protestë politike.