Sot mbushen pesë vjet nga tragjedia e 8 shtatorit 2021, ku nga djegia e spitalit modular në Tetovë humbën jetën 14 qytetarë – 12 pacientë të shtruar me Kovid-19 dhe dy familjarë të tyre. Pesë vite më pas, dhimbja e familjarëve është e njëjtë, ndërsa pyetja se kush mban përgjegjësi mbetet pa përgjigje. Zhgënjimi u thellua edhe më shumë pasi Prokuroria në Shkup para dy javësh e mbylli çështjen e zjarrit. Mumin Ismaili, i cili humbi nënën në këtë tragjedi, thotë se drejtësia nuk u vendos kurrë.

“Pesë vjet pas tragjedisë, ne ende nuk kemi marrë drejtësi që e meritojmë. Janë bërë hetime dhe ekspertiza, por ne ende nuk e dimë kush është përgjegjës për vdekjen e 14 viktimave. Edhe pse pas pesë vitesh ende nuk kemi drejtësi. Në vend që drejtësia të ishte në anën e viktimave, ne kemi një sistem që shpesh është më i ashpër për qytetarët e zakonshëm sesa me njerëzit që janë në pushtet”, tha Mumin Ismaili.

Në përvjetorin e pestë, iniciativa “Më mirë për Tetovën” vendosi një pllakë memoriale në nderim të viktimave. Por për familjarët, mungesa e përgjegjësisë nga drejtuesit e atëhershëm të shëndetësisë mbetet plaga më e madhe.

“Unë në çdo seancë kur kam qenë në gjyq, përmendet përherë a ka pasur PP aparat apo s’ka pasur PP aparat. Akuza është dashtë të jetë si erdhi zjarri! Se unë në atë natë kam qenë në dhomën numër tre ku ka kapur zjarri. Kurrë nuk është biseduar ose nuk ka dalë nëpër media të thuhet se si erdhi deri te zjarri i modulares. Përherë kanë qenë pretendimet ose muhabetet se a pat PP aparat a s’pat”, shtoi Mumin Ismaili.

Përveç mungesës së drejtësisë, edhe premtimet për një park memorial në nderim të viktimave kanë ngelur vetëm në letër. Hapësira ku ndodhej spitali modular sot është e mbuluar nga ferrat dhe është shndërruar në një varrezë automjetesh. Zjarri që shkatërroi spitalin modular brenda pak minutave u shkaktua, sipas ekspertizës gjermane, nga një kabllo. Nga ky proces gjyqësor, vetëm dy drejtorët e spitalit u dënuan me nga tre vjet burg, ndërsa mjeku kujdestar u lirua nga të gjitha akuzat. Familjarët vazhdojnë të kërkojnë që drejtësia të mos mbyllë sytë përballë përgjegjësve të vërtetë.