Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në fshatin Toplicë të komunës së Vrapçishtit, ku policia ka arrestuar një 52-vjeçar me inicialet M.M., nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare.
Sipas informacioneve jozyrtare, gruaja ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë brinjë të thyera dhe plagë të shkaktuara me pirun në disa pjesë të trupit.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ajo fillimisht është dërguar në Spitalin e Gostivarit, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike në Shkup për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë arrestimit, i dyshuari, për të cilin thuhet se ka probleme të rënda të shëndetit mendor, dyshohet se ka sulmuar edhe një zyrtar policor. Pas kësaj, ai është dërguar në spitalin psikiatrik në Shkup.
Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria Publike, ndërsa pritet të ndërmerren procedurat e mëtejshme ligjore ndaj të dyshuarit.
