Rreth 56 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut ende presin të vaksinohen kundër gripit sezonal, ndonëse kanë shprehur interesim për imunizim. Nga gjithsej 77 mijë të paraqitur, deri më tani janë vaksinuar vetëm rreth 21 mijë persona. Ndërkohë, qytetarët që dëshirojnë ta blejnë vaksinën privatisht përballen me mungesë, pasi këtë vit asnjë kompani nuk është paraqitur në tender për furnizimin me vaksina komerciale. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se në vend kanë arritur 30 mijë doza, ndërsa pritet të mbërrijnë edhe 56 mijë të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 86 mijë vaksina. Vonesat vijnë në një kohë kur rastet e gripit janë rritur për 90,2 për qind brenda një jave, ndërsa autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje për vaksinim.
