U nënshkruan marrëveshjet me komunat për 828 projekte me vlerë prej 225 milionë eurosh nga thirrja e dytë që financohet me 250 milionë euro nga kredia hungareze. Do të ndërtohen rrugë, ura, çerdhe, shkolla, salla sportive, ujësjellës, kanalizime. Kryeministri Mickoski siguron se do të ndërtohet gjithçka që do ta lehtësojë jetën e qytetarëve. Tha se së bashku me projektet nga thirrja e parë kemi një ofensivë ndërtimore ose 1.200 kantierë ndërtimi në vend.


“Kjo është ofensiva më e madhe investuese për komunat që është bërë ndonjëherë. Jo vetëm sipas shifrave, por edhe sipas vendosmërisë dhe drejtësisë. Po ndërtohet në të gjithë vendin, në të gjitha komunat që aplikuan dhe që kanë dokumentacion të përgatitur, pa filtra partiakë, pa favorizime. Aty ku ka projekt, aty ka edhe mbështetje”, tha Mickoski.

Sot u hodhën firmat në marrëveshjet nga thirrja e dytë, por realizimi i 288 projekteve nga thirrja e parë po ecën ngadalë. Janë përfunduar plotësisht vetëm 113 projekte. Janë paguar vetëm 13 milionë euro nga 100 milionët e planifikuara. Ministri Perinski thotë se janë realizuar 40 përqind e projekteve, por realizimi financiar është 20%.

“Përqindja e realizimit financiar është diku rreth njëzet për qind, por kjo është kështu sepse ende janë në proces ato projekte të mëdha dhe më të mëdhenj që përbëjnë sasinë më të madhe të mjeteve që janë vënë në dispozicion në thirrjen e parë publike. Kështu që deri në fund të vitit pres të kemi shumë, shumë rritje të realizimit financiar nga këto mjete. Mbi 800 milionë denarë”, tha Perinski.

Ndryshe, nga thirrja e dytë më së shumti projekte, 65, ka marrë komuna e Manastirit, ndërsa 5 komuna kanë marrë nga vetëm 1 projekt. Që realizimi i projekteve kapitale po ecën ngadalë, tregojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Financave. Për gjysmën e vitit janë realizuar vetëm 26 % e parave të destinuara për investime kapitale. Ose janë shpenzuar vetëm 200 milionë euro nga mbi 770 milionë të planifikuara për projekte kapitale për këtë vit.