Në total, 94 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë evakuuar deri më tani nga kroçera “Hondius”, e prekur nga virusi vdekjeprurës hantavirus, përcjell TV21. Siç njoftoi ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García, bëhet fjalë për shtetas të 19 vendeve, të cilët dje u larguan nga Ishujt Kanarie me tetë fluturime speciale.
Për sot është paralajmëruar evakuimi i edhe gjashtë personave drejt Holandës dhe 18 personave drejt Australisë.
Evakuimi po zhvillohet një javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se tre pasagjerë të anijes – një çift i moshuar holandez dhe një shtetase gjermane – kishin ndërruar jetë në një rast të dyshuar të hantavirusit.
Hantavirusi mund të shkaktojë ethe dhe sëmundje të rënda respiratore te njerëzit, dhe zakonisht transmetohet përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar.
Para evakuimit të djeshëm, është kryer një kontroll i plotë epidemiologjik i të gjithë 152 pasagjerëve në bord, ku nuk janë gjetur persona me simptoma të sëmundjes.
García tha se pas evakuimit, një shtetas francez ka shfaqur simptoma të sëmundjes, duke shtuar se autoritetet franceze do të zbatojnë protokollet e tyre shëndetësore.
Ajo shtoi se 34 persona, kryesisht anëtarë të ekuipazhit, do të mbeten në anije dhe do të kthehen me kroçerën në Roterdam.
Sipas OBSH-së, deri tani janë konfirmuar gjashtë raste me hantavirus dhe dy raste të dyshuara, nga të cilat tre kanë përfunduar me vdekje.
Pasi të gjithë pasagjerët të kenë zbritur nga anija, “Hondius”, që lundron nën flamurin holandez, do të vazhdojë udhëtimin drejt Roterdamit me një pjesë të ekuipazhit. Trupi i viktimës gjermane do të merret nga anija vetëm pas mbërritjes, pasi ajo të jetë dezinfektuar plotësisht.
Kroçera “Hondius” kishte nisur udhëtimin në Argjentinë më 1 prill, ishte ndalur në Cabo Verde dhe të mërkurën në mbrëmje ishte nisur drejt Ishujve Kanarie.
Meqë më shumë se 30 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë zbritur gjatë ndalesave të mëparshme, autoritetet shëndetësore në mbarë botën po gjurmojnë raste të mundshme të dyshimta.
