Se kë do ta mbështes VLEN në Kërçovë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ishte ndër temat me të diskutuara ditëve të fundit, por pati edhe prononcime. Së fundmi, VLEN tha se ka kërkuar që kandidati i AKI-së të tërhiqet nga gara për të mbrojtur dinjitetin e procesit, por siç thonë, “zgjodhi të vazhdojë”. Ndërkohë, VLEN tha se “morali publik nuk negociohet” dhe se ” gjykimin duhet ta bëjnë vetë kërçovarët”
“Në Kërçovë u pa fytyra e vërtetë e kastës së vjetër politike. Kur shpërtheu skandali, përgjigjja ishte e njëjtë si për 20 vite me radhë “ta kalojmë edhe këtë, si çdo herë tjetër”. Kjo është filozofia që ka mbajtur peng shqiptarët, mbyll sytë, bëj sikur s’dëgjon, e nesër vazhdo sikur s’ka ndodhur asgjë.
Pas publikimit të materialeve komprometuese, koalicioni VLEN kërkoi tërheqjen e kandidatit të AKI-së nga gara për të mbrojtur dinjitetin e procesit. Por ai zgjodhi të vazhdojë, duke e vendosur Kërçovën në pozitë të padrejtë dhe duke dëshmuar se për këtë kastë politike pushteti është oksigjeni i fundit politik.
Kjo është pasojë e politikës që për vite ka ndërtuar gjithçka mbi arrogancë, gënjeshtra dhe pazare personale, duke menduar se çdo skandal “kalon për tre ditë”. Për koalicionin VLEN, siç kemi thënë, morali publik nuk negociohet. Ndaj, tani gjykimin duhet ta bëjnë vetë kërçovarët”, thotë VLEN.

