Filloi të ndërtohet para 6 viteve, por ende nuk është gati për tu hapur.
Kjo është situata e pishinës së mbyllur në qytetin e Kërçovës, ku punimet hasën në probleme të shumta.
Kryetari Komunës Aleksandër Jovanovski thotë se ka disa probleme që janë të aspektit teknik dhe pritet që shpejti të përfundohen.
“Pishina është ndërtuar megjithatë ka probleme të aspektit teknik, inxhinieret e din më mirë megjithatë unë u interesova që sa më shpejt ta lëshojmë në përdorim në interes të fëmijëve tanë që të munden ta shfrytëzojnë shkollat të mbajnë orë mësimore atje, rekreacion. Megjithatë ka probleme teknike e dini si është administrata EVN por kam një ekip të përbërë që sa më shpejt ta lëshojnë në përdorim”, tha Aleksandër Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës.
Pishina në Kërçovë është një investim i Agjencisë për Rini dhe Sport e sot e shndërruar në Ministri për Sport.
Zv/ministrja e Sportit Safije Sadiku Shahini tha se kjo pishinë do të hapet brenda 10 ditëve.
“Ju informojmë se pishina në Kërçovë është në fazën përfundimtare të realizimit. Të gjitha punimet ndërtimore dhe teknike janë drejt përfundimit dhe pritet që brenda 10 ditëve të bëhet hapja solemne. Ky projekt ka rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit dhe për të rinjtë në këtë rajon, dhe me ne fund po finalizohet dhe shumë shpejt do të vihet në funksion”, u shpreh Safije Sadiku Shahini – zëvendësministre e Sportit.
Ndryshe, ndërtimi i pishinës ka kushtuar 43 milionë denarë.
Filloi të ndërtohet në vitin 2020 dhe ishte paraparë të përfundonte brenda 18 muajve.
