A do të ketë një rikonstruim teknik të Qeverisë pas largimit të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti për t’u bërë kryetar komune, apo është e mundur që të ketë një ndërhyrje më të gjerë ministrore – për momentin nuk precizohet saktë. Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili këtë rikonstruim e paralajmëroi që para fushatës së zgjedhjeve lokale, tha se ende është herët për një gjë të tillë. Për spekulimet se VLEN do të marrë edhe një ministri pas vendimit që Bekim Sali që të mbajë vetëm postin e zëvendëskryeministrit të parë, ndërsa dikush tjetër të marrë atë të ministrisë së mjedisit, sipas Mickoskit kjo nuk do të thotë se ata do të kenë një ministri më shumë.

“Kjo nuk do të thotë që do të ketë një resor më shumë. Kjo është një vendim i partnerit tonë të koalicionit. Unë kam një mendim shumë të mirë për Bekim Salin, absolutisht nuk duhet të kemi asnjë dilemë për këtë, por kjo nuk do të thotë që do të ketë një vend më shumë në kabinetin qeveritar. Rikonstruimi i Qeverisë nuk bëhet vetëm që të thuhet ‘e rikonstruuam Qeverinë’. Para se të merret çdo hap, duhet të mendohet mirë nëse zgjidhja e re kadrovike që do të vijë do të jetë më e mirë se ajo e mëparshmja”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.

Në opinion tashmë po qarkullojnë spekulime se me rikonstruimin do të përfshihet edhe ministrja e Arsimit Vesna Janevska, si edhe ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, i cili vjen nga radhët e partisë ZNAM.

“Ju lutem, mos i besoni spekulimeve. Së pari, është jokorrekte të flasim për spekulime – unë ende fare nuk jam ulur të mendoj për këtë temë. Pres që për vendet e zbrazëta të marr sa më shpejt emrat dhe të shohim nëse ato emra janë në përputhje me atë që unë pres të jenë, dhe që ato emra të plotësojnë vendet e zbrazëta në Qeveri dhe në institucione”, theksoi Hristijan Mickoski – kryeministër.

Për momentin ende nuk ka informata të sakta se kur do të ndodhë rikonstruimi, por, siç theksoi Mickoski, kjo do të ndodhë pas kongresit të VMRO-DPMNE-së që duhet të mbahet më 6 dhjetor në Kavadar, ku gjithashtu do të bëhen edhe ndryshime partiake.