Kryeministri Hristijan Mickoski, rastësisht apo qëllimisht, tha se së shpejti do të ketë zgjedhje, duke hapur sërish çështjen e zgjedhjeve të parakohshme. Duke komentuar deklaratën e kryetarit të LSDM-së Venko Filipçe, i cili dje tha se nuk sheh që Bullgaria e mohon identitetin maqedonas, Mickoski theksoi se shumë shpejt do të ketë zgjedhje në të cilat Filipçe dhe partia do të humbasin.
“Më vjen keq që ata vendosën sërish të gjunjëzohen para interesave të huaja, në vend që të qëndrojnë krah për krah me Qeverinë në mbrojtje të interesave kombëtare. Por lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje, pas atyre zgjedhjeve do të ndodhë që partia që ai e drejton të marginalizohet, dhe shpresoj që ai dhe të tillët si ai të zhduken përgjithmonë nga politika”, tha Hristijan Mickoski.
Për zgjedhjet e parakohshme e përsëriti qëndrimin e tij edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili tha se është i gatshëm menjëherë të shkojë në zgjedhje.
“Unë kam kërkuar që nga dita e parë të ketë zgjedhje të parakohshme — kjo nuk është befasi. Nëse nesër ka zgjedhje, jam i gatshëm”, tha Ali Ahmeti
Megjithatë, kryeministri Mickoski deri tani disa herë ka deklaruar se nuk është për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dhe në periudhën e ardhshme pritet të ndodhë edhe rikonstrumi i Qeverisë. Edhe sot nuk zbuloi detaje se cilët ministra do t’i lënë resoret dhe kush do të zëvendësohet, duke thënë vetëm shkurt se ende po punohet në strukturën e brendshme të partisë.
“Jo, ende nuk i kam filluar. Jam ende i dedikuar strukturës së brendshme të partisë, pres që këtë muaj ta përfundoj dhe pastaj t’i kushtohem koalicionit qeveritar”, deklaroi Mickoski
Ndërkohë, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai është tashmë i sigurt se do ta lërë Qeverinë, pasi për një periudhë të gjatë nuk shkon në punë, ndërsa nëpërmjet fotografive në Facebook dërgonte të fala nga Tajlanda. Po lëkundet edhe karrigia e ministrit të politikës sociale Fatmir Limani, pas mosmarrëveshjeve në koalicionin VLEN, nga ku thanë se për të nuk ka vend në partinë e re që pritet të formohet më 9 të këtij muaji. Për momentin është e pasigurt edhe nëse do të ketë ndryshime në ZNAM, pasi Mile Cekov e la grupin parlamentar, duke dobësuar pozitën e partisë së Maksim Dimitrievskit.
