Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka hedhur poshtë zërat për krijimin e një “Super Lige të Kampionëve”, të ngjashme me projektin e Super Ligës Evropiane.
Gjatë asamblesë së përgjithshme të Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA), që tani quhet zyrtarisht EFC, Ceferin u shpreh se UEFA nuk do të organizojë kurrë një garë të mbyllur për disa klube të zgjedhura.
“Evropa vendos standardet e futbollit botëror. Ka pasur përpjekje nga jashtë për ta reformuar sportin tonë, por ne kurrë nuk do të krijojmë një turne vetëm për 12 klube,” deklaroi ai.
Kreu i UEFA-s theksoi se futbolli duhet të mbetet gjithëpërfshirës dhe të ofrojë mundësi për të gjithë. “Futbolli nuk është vetëm biznes apo argëtim. Ai është pjesë e jetës së komuniteteve tona – janë rrugët, klubet dhe tifozët që e mbajnë gjallë. Nëse largohemi nga këto rrënjë, rrezikojmë ta shkatërrojmë,” shtoi Ceferin.
Ai vlerësoi gjithashtu suksesin e formatit të ri të Ligës së Kampionëve, duke e cilësuar si një reformë të guximshme që ka sjellë të ardhura rekord për futbollin evropian.
The post A do të kriohet Super Liga e Kampionëve, flet Ceferin appeared first on Alsat.
