Ekspertët dhe autoritetet e trafikut në shumë vende janë përpjekur të ulin numrin e aksidenteve rrugore për dekada të tëra. Përveç metodave klasike si kamerat e shpejtësisë, patrullat e policisë dhe gjobat, ndonjëherë preket edhe psikologjia njerëzore.

Iluzionet optike në trafik ekzistojnë në disa vende (kujtoni kalimet 3D për këmbësorë), por spanjollët vendosën të shkojnë një hap më tej dhe të përdorin një metodë të quajtur “dhëmbë dragoi” për t’i bërë shoferët të ngasin më ngadalë.

Këto janë trekëndësha të bardhë të vizatuar në pjesën e brendshme të vijave të bardha që shënojnë rrugën. Ato u quajtën “dhëmbë dragoi” për shkak të pamjes së tyre.

Këto trekëndësha të bardhë mund të shihen në Burgos, si dhe në Madrid, ku trekëndëshat janë ngjyrosur në mënyrë alternative me të verdhë dhe të bardhë.

Ideja është të krijohet përshtypja tek shoferët se rruga po ngushtohet dhe se duhet të ngasin më me kujdes, domethënë, më ngadalë. Përpara kalimeve për këmbësorë, shpesh ka vija zigzag që paralajmërojnë edhe për uljen e shpejtësisë.

Në vendet ku është instaluar sinjalistika e re horizontale, ose më saktë iluzioni, deri më tani nuk ka pasur aksidente trafiku, por ka pasur disa më parë, me viktima njerëzore.

The post A e dini se për çfarë shërbejnë këto trekëndësha të bardhë në rrugë? appeared first on Alsat.