Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, në emisionin Click Plus në TV21, u ndal te puna e ish-shefit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, si dhe te perceptimet në opinion se disa lëndë mund të jenë mbajtur qëllimisht ose lënë në sirtar.

Saveski shpjegoi se drejtuesi i Prokurorisë nuk i trajton personalisht të gjitha lëndët dhe se për çdo kallëzim penal apo lëndë të formuar është përgjegjës një prokuror publik i caktuar.

“Ai nuk mund t’i mbajë lëndët në sirtar, sepse nuk merret me to. Çdo kallëzim penal ose çdo lëndë në atë Prokurori, trajtohet nga një prokuror publik i caktuar.
As ai, as unë nuk mund t’i themi asnjë prokurori publik: “Ti, që je përgjegjës për këtë çështje, mos e trajto! Fshihe menjanë! Vendose në sirtar!”
Ky është veprim i paligjshëm. Asnjë prokuror publik nuk mund ta lejojë këtë!
Edhe sikur ta lejojë, mos vallë ai prokurori që vepron ndaj asaj lënde, do të veprojë ndaj kërkesës së përgjegjësit të tij, në kundërshtim me atë që nesër do të konsiderohej si veprim i paligjshëm?
Pra, nuk është aq e thjeshtë sa perceptohet nga publiku. Ne kemi një sistem kontrollesh. Ne kemi një sistem, ku parimet e ligjit, të zbatimit objektiv dhe joselektiv, janë të ngulitura fort, pavarësisht se kush ndodhet në atë pozitë, në udhëheqëse apo jo”, deklaroi Saveski në Click Plus në TV21.