Përmes kësaj shkrese drejtuar Kuvendit, punonjësit dhe dy zëvendësit e mbetur të Avokatit të Popullit, kanë apeluar për një zgjidhje urgjente për gjendjen, siç e quajnë, pa rrugëdalje, në të cilën ndodhen prej muajit korrik. Njoftime Kuvendit i kanë dërguar edhe më parë, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Të punësuarit në institucionin e Avokatit të Popullit aktualisht nuk janë në gjendje të realizojnë shumicën e të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, ndërsa duke filluar nga muaji janar 2026, ekziston rreziku real që të mos marrin të ardhura personale, me ç’rast do të vihet në pikëpyetje realizimi i pagesave të rregullta për sigurim shëndetësor dhe social, si dhe për sigurim pensional. Për këto arsye, me të drejtë shtrojmë pyetjen: a ka apo jo shteti nevojë për institucion të tillë?”, institucioni Avokati i Popullit.
I pyetur për këtë, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi theksoi rëndësinë e institucionit të Avokatit të Popullit, sidomos tani që më 11 janar ka zgjedhje të përsëritura, andaj u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjejnë vullnet politik.
“Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që të sigurohemi që ajo të rrjedhë pa probleme, por jemi zënë në befasi nga vullneti politik i partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badinter të madh. Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, për t’u bërë thirrje të gjitha partive politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejnë zgjidhje, që aktorët politikë të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje”, tha Gashi.
Institucioni Avokati i Popullit mbeti pa drejtues pasi Naser Zyberi doli në pension.
Tani për tani funksionon vetëm me dy zëvendësit – Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska.
Avokatin e Popullit e zgjedh dhe e shkarkon Kuvendi.
