Anëtarët e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) mblidhen të shtunën, me ftesë të kryetarit Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

Abdixhiku ka thënë se e ka ofruar dorëheqjen e tij dhe tani vendimi i përket Kuvendit nëse do ta pranojë ose jo.

Mirëpo, disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, Abdixhiku ka thënë pak para nisjes së punimeve të Kuvendit se ky është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.

“Mirë se vini ne demokraci, do të doja këtë ditë ta shënojmë më maturi, le të jetë ky një standard i mirë, i mbarë jo vetëm për LDK-në por për të gjitha partitë e tjera. I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik. Është Kuvendi, organi më i lartë, ka të drejtë të vendos çdo gjë, do të kem një fjalim, dhe më pas Kuvendi vendos. Unë kam bërë gjënë më fisnike, dhe ia kam lënë anëtarësisë të marrë vendim pa asnjë presion politik”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas agjendës së publikuar nga partia, Kuvendi do t’i nisë punimet me një fjalim të kryetarit aktual dhe më diskutimet do të mbahen me dyer të mbyllura.

Anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, ndonëse disa figura kanë thënë se të shtunën do të diskutohet vetëm për performancën e Abdixhikut dhe që çështja e kandidaturave për kryetarin e partisë, është proces i ndarë.

“Nuk jemi në fazë të kandidaturave të tjera. Jemi në fazë të vlerësimit të punës së kryetarit, me kërkesën e tij, do të shohim se çfarë i ofron ai Kuvendit. Nëse ofrohet dorëheqja, dorëheqja është akt vullnetar, individual, i pandikueshëm, drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe i pakthyeshëm. Nëse kërkon votëbesim atëherë është çështje e votimit, e cila duhet të bëhet si votim bazuar në statutin e LDK-së, votim i fshehtë me kuti dhe ecim tutje. Secili rezultat do të jetë i respektueshëm nga ana jonë”, ka thënë Arben Gashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.