Për herë të parë, në Klinikën Universitare për Kardiologji në Shkup është kryer ablacioni për takikardi ventrikulare. Me këtë rast, klinikën sot e vizituan ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, dhe drejtori i përgjithshëm i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski.

Gjatë konferencës për shtyp në Klinikë, Aliu theksoi se ekipi i Kardiologjisë tregoi se shëndetësia në vend ka njohuri, guxim dhe vizion për rezultate kulminante. Ai shtoi se ky është një hap i madh përpara në shëndetësi.

Drejtoresha e Klinikës, Danica Petkoska Spirova, deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e elektrofiziologjisë, si dhe një konfirmim i profesionalizmit të lartë dhe përkushtimit të ekipit të Klinikës.

“Me këtë procedurë mundësojmë trajtim të shpejtë dhe efikas për të gjithë pacientët me të gjitha llojet e aritmisë, të cilët deri më tani dërgoheshin jashtë vendit për trajtim, me kosto të mbuluar nga FSSH,” tha Petkoska Spirova.