Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, Visar Ademi, në prioritetin kryesor të programit të tij parasheh, siç thotë ai, pastrimin e komunës nga korrupsioni dhe administrata partiake. Gjatë prezantimit të programit të tij, ai theksoi edhe se qyteti po përballet me kriza të shumta – nga mbeturinat, qentë endacakë dhe trafiku, deri te rënia ekonomike dhe largimi i të rinjve – por se rrënja e të gjitha problemeve është administrata e kapur partiakisht dhe e korruptuar. Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, Ademi ka vazhduar fushatën duke takuar qytetarët për të prezantuar prioritetet e tij
“Vizitë derë më derë së bashku me ekipin e të rinjve, sepse zëri i qytetarëve është forca jonë! Trokasim në çdo derë për t’ju dëgjuar, për t’ju folur hapur dhe për ta ndryshuar realitetin së bashku. Çdo derë që hapim, është një hap drejt një Gostivari më të drejtë dhe më të zhvilluar!”, ka shkruar Ademi.
