Shitësit te “Tregu i grave” në Tetovë kanë pranuar një njoftim nga Myftinia e Tetovës se brenda një jave duhet ta lirojnë këtë vend.
Kjo i ka revoltuar, pasi thonë se kanë 30 vjet që shesin këtu dhe me këtë punë mbajnë familjet.
Përveç kësaj, afati i dhënë është shumë i shkurtër, pasi kanë investuar në mallin që shesin e tani do t’u ngelet.
Kërkojnë nga myftinia që të gjejnë një zgjidhje ose t’u caktohet ndonjë vend tjetër.
“Kërkojmë nga Bashkësia Fetare Islame, sepse dje na erdhën si në dasmë, që urgjentisht, që javën që vjen, të lirohet tregu i grave. Unë aty kam punuar dhe kam mbajtur familjen për 30 vite. Kam bërë pagesa, gjithsej 18 mijë euro, kam paguar 50 euro në muaj dhe vetëm katër ditë kam punuar aty. Unë pajtohem se është pronë e BFI-së, por shteti, si shtet që është, duhet të japë një ofertë për dy apo tre muaj dhe të gjejë një vend tjetër ku unë të punoj”.
“Nuk dimë ndonjë vend në botë ku nuk ka pazar, dhe me automatizëm shumica e njerëzve në atë pazar kanë investuar në mall, kanë blerë rroba, kanë blerë mallra, dhe të vish të thuash që javën tjetër të mbyllet është pak absurde. Shumica e objekteve që kemi janë me dyqane, ato punojnë sadopak, dhe tani vjen dikush e thotë se duhet të mbyllet. Çfarë do të ndodhë me strukturën e atyre shtëpive, a i intereson kjo dikujt”?
“Çdo qytet ka tregun e grave, i vetmi qytet që do të mbetet pa të do të jetë Tetova. Ato shtëpi, për shkak të tregut, mbajnë gjallë edhe dyqanet; me një plumb vriten dy veta.”
Myftiu i Tetovës Selver Xhemaili, pas takimit me shitësit, tha se ata do të kenë kohë që deri në gusht të vitit të ardhshëm ta shfrytëzojnë vendin.
“Sot në bashkëbisedim me pronarët e tezgave u morëm vesh që për një afat kohor deri sa bëjnë shitjen e mallit pra deri në fund të gushtit të punojnë, t’i shfrytëzojnë, ndërsa pjesën tjetër që janë jashtë funksionit të largohen nga aty dhe të shfrytëzohet vendi për ndonjë parking apo veprimtari tjetër varësisht prej nevojës”, Selver Xhelili.
Çdo të enjte në Tetovë është ditë tregu. Në të ashtuquajturin tregu i grave vinë shitës nga e gjithë Maqedonia. Po përpos tregut, shitësit sheshin edhe në rrugë. Kjo shpesh ka hapur debatin nëse duhet lejuar ose jo shitja në rrugë.
