
Në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, ambasadorja Angela Ageler kujton se në Shkup ka mbërritur si ambasadorja e dhjetë e Shteteve të Bashkuara dhe që nga fillimi ka pasur një besim të fortë në “forcën dhe guximin e popullit të Maqedonisë së Veriut”, besim që me kalimin e kohës është konfirmuar shumë herë.
Ageler thekson se gjatë mandatit të saj janë ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha, përfshirë rritjen ekonomike dhe pavarësinë energjetike, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, arsimin, kulturën dhe integrimin euroatlantik, si dhe modernizimin e kapaciteteve të sigurisë dhe projekte strategjike infrastrukturore që forcojnë sigurinë rajonale dhe tregtinë.
“Gjatë tre viteve të fundit, partneriteti ynë është shndërruar në një miqësi të vërtetë”, shkruan Ageler, duke vënë në pah takimet me qytetarët në mbarë vendin, bisedat e hapura dhe shpresat, vizionet dhe sfidat e përbashkëta. Në fund të mesazhit, ambasadorja porosit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të qëndrojnë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut” në realizimin e vizionit për një shtet më të fortë, më të sigurt dhe plotësisht të integruar euroatlantik.
“Kjo është vendi juaj dhe secili prej jush meriton që ai të jetë ashtu siç e ëndërroni”, përfundon Ageler, duke lënë një mesazh shprese, guximi dhe force.
