Gazetare: Fatlume Dervishi
Maqedonia ka kërkuar lëshimin e 38 milion eurove nga Plani i rritjes pasi vlerëson se ka realizuar 9 pika nga Agjenda e reformave që kishin afat deri në qershor të këtij viti. Afati që përfshinte gjithsej 16 pika, kishte vlerën e 70 milion eurosh, por për shkak të vonesave në realizimin e reformave, një pjesë e atyre mjete nuk do të mund të merren tani.
Dixhitalizimi mbetet i vetmi resor nga i cili janë realizuar të gjitha katër pikat e nevojshme, gjegjësisht janë miratuar të katër ligjet që kërkoi BE-ja. Pjesërisht të realizuara mbetet Plani vjetor për riparimin e ndërtesave të pushtetit qendror në kompetencë të Ministrisë së Energjetikës kurse po nga ky resor, mbeten të parealizuara subvencionet për prodhimin e energjisë elektrike.
Kërkesat e Komisionit Evropian që kanë të bëjnë me shtimin e inspektimeve nga inspektorati i punës dhe ai i tregut, janë plotësuar.
Sa i takon Ministrisë së Ekonomisë, në përputhje me kërkesat, është formuar regjistri për shoqëri tregtare, por kërkesa për optimizimin e tatimeve është plotësuar vetëm pjesërisht.
Pjesërisht të plotësuara mbeten të katër pikat shumë kyçe në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, edhe atë, ndryshimi i Kodit zgjedhor, rrogat e gjykatësve dhe prokurorëve, Ligji për këshillin gjyqësor dhe plotësimi i vendeve të punës në Agjencinë për konfiskimin e pronës. Ky dikaster nuk ka zbatuar plotësisht asnjërën nga pikat e saja.
Burime nga Ministria për Çështje Evropiane thonë se sfidë në realizimin e reformave mbetet mungesa e kapaciteteve njerëzore. “Kapacitetet janë sfida më e madhe me të cilën përballemi secilën ditë. Përfshirja dhe angazhimi i ministrave deri tani është në nivel të kënaqshëm. Fakti që kemi përpara zgjedhje lokale, ka potencial të ndikojë negativisht në dinamikën e zbatimit të planit të rritjes”, thonë nga kjo ministri, duke potencuar se është kërkuar koordinim shtesë me resorët përkatës për intensifikimin e punës.
Dokumentacioni i plotë i është nisur Komisionit Evropian, ndërsa komisioni ka 90 ditë pune afat për të kthyer përgjigjen e tij. 38 milion eurot që kërkon vendi mund të merren vetëm nëse komisioni vlerëson se pikat janë realizuar në përputhje me kërkesat e tyre në Agjendën e reformave. Për pikat e paplotësuara, do të hyjë në fuqi periudha grejs prej 12 muajsh dhe nëse realizohen në atë afat, mjetet do të mund të merren gjithsesi.
Pako e radhës e masave me afat dhjetorin 2025 përfshin 29 pika dhe kap vlerën e 130 milion eurove.
Plani i rritjes për Maqedoninë parashikon gjithsej 750 milion euro.
The post Agjenda e reformave/ Realizohen 9 nga 16 pika appeared first on Alsat.
