
Aleanca Kombëtare për Integrim mbajti tubim në qytetin e Strugës ku kandidati për kryetar të kësaj komune, Arsim Dalipi, para të pranishmëve prezantoi projektet më me prioritet që ka për Strugën. Paralajmëron hartë të transparencës ku çdo vendim i komunës do të jetë publik dhe i qasshëm. Qytetarët do të mund të paraqesin çdo lloj korrupsioni në mënyrë anonime ndërsa seancat e këshillit do të mund të ndiqen në mënyrë të drejtë për drejtë.
“Ne jemi gati ta udhëheqim këtë transformim me dije, me përkushtim dhe transparencë. Pikërisht programi ynë nisë me hartimin e një plani të ri gjeneral urbanistik për zgjerimin e qytetit në veri, lindje dhe perëndim, si dhe me plane të reja detale për lagjet dhe fshatërat me potencial turistik. Për të lehtësuar kaosin në komunikacion fillimisht do të ndërtojmë një rrethrotullim në Misleshovë dhe një rrethrotullim për hyrje të re në qytet që do të lidhë rrugën “Kongresi i Manastirit” me rrugën e re lokalo urbane që do të lidhë fshatërat dhe vendbanimet e ish komunës së Dollogozhdës me qytetin”, deklaroi Arsim Dalipi – Kandidat i AKI-së për kryetar i Strugës. /Alsat.mk