
Paralajmërimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për arrestimin dhe ndjekjen e qytetarëve që kanë festuar fitoren e Shqipërisë, me arsyetimin se janë dëgjuar thirrje “UÇK”, është skandaloz dhe thellësisht i rrezikshëm për situatën në vend.
Pyetja që lind natyrshëm është: prej kur thirrja “UÇK” është bërë thirrje ofenduese dhe shoviniste? Prej kur simboli i lirisë, i paqes dhe i demokracisë është kthyer në arsye për ndëshkim dhe përndjekje?
Në vend që të promovojë tolerancën dhe respektin ndaj vlerave historike që kanë ndërtuar bashkëjetesën në vend, kjo Qeveri dhe MPB po përpiqen të kriminalizojnë krenarinë kombëtare të shqiptarëve. Kujtojmë se UÇK është realitet historik, ajo solli ndryshimin dhe demokratizimin e Maqedonisë së Veriut, kontribuoi në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe e orientoi vendin drejt NATO-s dhe Perëndimit.
Kjo qeveri, për fat të keq, ka devijuar nga përcaktimet strategjike euroatlantike dhe duket hapur se sot për bosht politik ka Moskën dhe Beogradin.
Leni të lirë qytetarët! Mos luani me ndjenjat dhe vlerat e kombit tonë, mos tentoni t’i frikësoni shqiptarët dhe t’ua prishni festën e tyre.
– Aleanca Kombëtare për Integrim