Një shofer ka vdekur dhe disa studentë janë plagosur lehtë në një aksident rrugor mëngjesin e sotëm në autostradën SR464 në Maniago, në provincën e Pordenones, Itali. Aksidenti ndodhi pasi një makinë u përplas ballë për ballë me një autobus që transportonte studentë dhe disa udhëtarë. Shoferi i makinës mbeti i vdekur menjëherë në përplasje dhe disa studentë u plagosën.

Të gjithë u dërguan me ambulanca në Spitalin e Pordenones. U desh ndërhyrja e karabinierëve dhe zjarrfikësve në vendngjarje për të liruar shoferin e autobusit i cili ishte bllokuar në rrënoja.

Sipas raportimeve, studentët kanë pësuar lëndime të lehta, por disa janë ende në shok nga aksidenti. Gjendja e shoferit të autobusit, megjithatë, është më serioze,  zjarrfikësve iu desh të punonin për dy orë për ta nxjerrë atë nga rrënojat e përdredhura. Ai mbeti i vetëdijshëm dhe vigjilent gjatë gjithë kohës, dhe rreth orës 9 të mëngjesit u stabilizua në një ambulancë në vendngjarje dhe u transportua me helikopter në spitalin e Udines.