Aksionarët e Teslas kanë miratuar një pako rekorde page për shefin Elon Musk, e cila mund ta kapë vlerën e gati 1000 miliardë dollarëve, raporton “BBC”.
Marrëveshja e paprecedentë, e rekomanduar nga bordi i firmës, u miratua nga aksionarët në mbledhjen e përgjithshme vjetore të firmës të enjten.
Sipas marrëveshjes kërkohet që Musk, që është tashmë njeriu më i pasur në botë, ta rrisë në mënyrë drastike vlerën në treg të veturave elektrike të firmës gjatë viteve të ardhshme. Nëse ai përmbush objektiva të ndryshme, do të shpërblehet me qindra miliona në aksione të reja.
Shkalla e marrëveshjes është e diskutueshme, por bordi i Teslas argumentoi se Musk mund të largohet nga kompania nëse nuk aprovohet – dhe se nuk mund të përballohej humbja e tij.
Paketa e pagave u miratua nga 75 për qind e aksionarëve të Teslas që votuan.
“Ajo që po nisim nuk është thjeshtë një kapitull i ri i së ardhmes së Teslas, por një libër krejt i ri”, tha Musk, ndërsa doli para publikut në Austin të Teksasit.
Paketa e pagës kërkon që Musk të realizojë një sërë objektivash për ta arritur pagën masive.
Këto përfshijnë rritjen e vlerës së Teslas në treg nga 1400 miliardë dollarë në 8500 miliardë.
Po ashtu do të duhet vënë në funksion komercial një milion “Robotaxi” autonome.
The post Aksionarët e Teslas miratojnë pakon rekorde të pagës për Elon Musk appeared first on Alsat.

