Vijon aksioni i Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë për dyshime për blerjet e mazutit të dëmshëm përmes kontratave fiktive, jozyrtarisht, në vlerë të 10 miliardë denarëve, transmeton TV21. Informacionet e para thonë se bëhet fjalë për një rrjet të importuesve, të cilët dyshohen se në mënyrë ilegale kanë shpërndarë derivate me origjinë dhe cilësi të dyshimtë.

Por kush janë personat të cilët po i hetojnë autoritetet? Jozyrtarisht TV21 mëson se i dyshuar është edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, i cili është në arrati për një rasti tjetër.

Gjithashtu, tashmë është siguruar edhe biznesmeni Ratko Kapushevski, pronar i “RKM Energji”. Gjithashtu për këtë rast është siguruar edhe biznesmeni Asmir Jahoski i Pucko Petrol.

I dyshuar është edhe Ardian Muça, ish drejtori komercial dhe anëtar i Bordit Drejtues në EMV. Ndërsa po merren në pyetje edhe Nikolla Stojanovski, Emill Pecakov, Marija Neshovska, Bllagica Markoviç, Ruxhdi Ramadani, Dushica Seiyovska Jovanoviç, Dobrilla Stefanovska, Erxhan Sulkoski dhe Danqo Stojanovski.

Përndryshe, furnizimi me këtë lloj të mazutit dyshohet se është bërë për nevojat e Termoelektranës “Negotinë”, por gjithashtu ka dyshime për keqpërdorime të tenderëve të tjerë në rrjetin e Elektranave të Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se këto lëndë djegëse shpesh përmbajnë nivele të larta të sulfurit, metaleve të rënda ose përbërësve të tjerë të dëmshëm, që mund të çojnë në ndotje serioze të ajrit dhe tokës./tv21.tv