Gazetar: Mihaillo Donev
Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, një burri dhe një gruaje, të cilët e kanë ndihmuar 18-vjeçarin Sait Saitov, i cili përplasi për vdekje një grua në lagjen Kapishtec të Shkupit, të largohej nga shteti në drejtim të Serbisë përmes vendkalimit kufitar Tabanoc.
“Me një automjet “Mercedes” me targa të Shkupit, burri dhe gruaja kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit menjëherë pas aksidentit të trafikut, e kanë marrë atë së bashku me të atin dhe përmes vendkalimit kufitar Tabanoc i kanë transportuar drejt Republikës së Serbisë. Atje i kanë lënë, pas së cilës ndihmësit janë kthyer në vend rreth mesnatës”, thonë nga PTHP.
Përveç aktakuzës, Prokuroria informoi se në Gjykatën Penale është dorëzuar edhe kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për burrin, si edhe për vazhdimin e arrestit shtëpiak për të dyshuarën në këtë rast. Të dy bashkë-kryerësit ngarkohen për veprën penale për të cilën parashikohen dënime me burg deri në 5 vjet.
I dyshuari kryesor, Sait Saitov, ende është i pakapshëm për organet e ndjekjes. Për të është shpallur një flet-arrest ndërkombëtar dhe kjo për shkak të dyshimeve për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve në komunikacion, si edhe për mosdhënie ndihme personit të lënduar. Nga MPB për Alsat më herët konfirmuan se po shkëmbehen të dhëna me Interpolin dhe policitë e tjera të rajonit dhe më gjerë, megjithatë, nuk zbuluan më shumë detaje për atë se deri ku ka arritur kërkimi për Saitovin.
Aksidenti i trafikut ku ishte i përfshirë 18-vjeçari Saitov ndodhi më 9 janar në lagjen Kapishtec të Shkupit, kur me automjetin “Volkswagen Passat”, në pronësi të babait të tij, ai përplasi një grua 79-vjeçare dhe u largua nga vendi i ngjarjes. 79-vjeçarja Ljuba Jakovlevska iu nënshtrua plagëve dhe ndërroi jetë në spital. 18-vjeçari kishte drejtuar makinën me shpejtësi të madhe dhe pa patentë shoferi. /Alsat.mk
The post Aktakuzë për ndihmësit e 18-vjeçarit i cili përplasi për vdekje një grua dhe u largua nga shteti appeared first on Alsat.
