Pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella për marrëveshje milionëshe për tenderë. LSDM doli me një “bombë” të re për furnizime publike të dyshimta të lidhura me një, siç thanë, nga firmat e preferuara të pushtetit. Akuzuan Prokurorinë, Antikorrupsionin dhe Policinë Financiare se po heshtin edhe për pretendimet e deritanishme të paraqitura nga LSDM për tenderë të dyshimtë.
“74 tenderë në vlerë 17,6 milionë euro për vetëm dy vite ka fituar kjo firmë, “Lendi Grup” DOOEL Shkup. Rritja e menjëhershme e kontratave të lidhura fillon në vitin 2024, vazhdon në vitin 2025, e deri më sot. Vetëm vitin e kaluar, 59 kontrata të lidhura, pjesa më e madhe nga komuna të udhëhequra nga VMRO – grup kriminal i organizuar”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – Sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE me përgjigje se ky është vetëm mjegullim i opinionit. Thonë se e njëjta firmë ndoshta dyfish më shumë tenderë ka fituar në kohën kur institucionet i kanë drejtuar LSDM dhe BDI.
“LSDM që i numëron këta tenderë dy vitet e fundit, duhet ta zgjerojë përllogaritjen edhe për vitet e kaluara kur kanë qenë në pushtet dhe do të arrijë në përfundim se e njëjta kjo firmë, ndoshta edhe dyfish më shumë tenderë ka fituar në kohën kur institucionet i drejtonte LSDM së bashku me BDI. Kështu që kjo është një akuzë populiste”, u shpreh Brane Petrushevski – deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM dolën edhe me akuzë se derisa pushteti nuk ka para për paga më të larta, pas shpinës së popullit të njëjtat firma fitojnë tenderë milionësh. Nga VMRO-DPMNE, ndërkaq, u kundërpërgjigjën me pyetjen – pse për 7 vite sa kanë qenë në pushtet nuk e kanë rritur pagën minimale në masën që tani e kërkojnë.
