Autoritetet kroate kanë asgjësuar rreth 4 ton domate të importuara nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan se ishin të spërkatura me pesticide pesë herë më shumë se norma e lejuar. Produktet e rrezikshme u groposën menjëherë nga shteti kroat, ndërsa rezultatet janë publikuar nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).

Nga analiza doli se ngarkesa e lejuar është 0.01 mg/kg, ndërsa domatet nga Berati shënuan 0.06 mg/kg. Vetëm pak ditë më parë, më 22 gusht, Kroacia kishte asgjësuar edhe 5 ton pjeshkë nga Divjaka për shkak të përmbajtjes së lartë të metalit të rëndë, nikel.

Sipas ekspertëve, shkak është mosrespektimi i periudhës së karencës nga fermerët, përdorimi i tepruar i pesticideve ose aplikimi i të njëjtit kimikat pa alternim, gjë që bën që mbetjet e dëmshme të kalojnë nga toka në bimë e më pas në produkt.

Pedagogu i UBT-së, Fredi Brahusi, paralajmëron se përdorimi pa kriter i këtyre kimikateve përbën rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve, duke shkaktuar rënie të imunitetit dhe madje infertilitet.