Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë drejtuar një thirrje publike profesorëve universitarë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për protestën e paralajmëruar që do të mbahet më 6 prill, me fillim nga ora 12:30.
Sipas njoftimit, studentët kërkojnë solidaritet dhe përkrahje për një çështje që, siç theksojnë ata, lidhet drejtpërdrejt me respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Bëhet fjalë për kërkesën që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në reagimin e tyre, unionet studentore vlerësojnë se kjo temë ka rëndësi të veçantë jo vetëm për studentët, por edhe për të gjithë komunitetin akademik dhe shoqërinë në përgjithësi.
Ata u kanë bërë thirrje mediave që këtë apel ta trajtojnë me seriozitet dhe ta përcjellin deri te publiku, me qëllim që çështja të marrë vëmendjen e merituar.
Në bashkëngjitje të reagimit është dërguar edhe letra e plotë drejtuar profesorëve universitarë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se janë të hapur për çdo informacion shtesë apo prononcim lidhur me protestën dhe kërkesat e tyre.

