Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar zyrtarisht se nuk është raportuar asnjë kërcënim për bombë në asnjë nga qendrat tregtare në Shkup, pasi pasditen e sotme disa media publikuan informacione për një evakuim në qendrën tregtare „East Gate Mall“.

Më herët, sipas raportimeve të mediave, vizitorëve dhe punonjësve u është bërë thirrje që të largohen me qetësi nga qendra tregtare, pa krijuar panik.
Deri më tani, nga institucionet kompetente nuk ka asnjë shpjegim zyrtar lidhur me arsyet se pse është zbrazur objekti.

Ndërkohë, mediat, duke u thirrur në dëshmi të personave që ndodheshin në ato momente brenda qendrës tregtare, raportojnë se evakuimi ka pasuar menjëherë pas aktivizimit të alarmit dhe sistemit kundër zjarrit në objekt.