Për të tetën herë brenda pak muajsh, gjimnazi i Tetovës “Kiril Pejçinoviq” sot ka pranuar një mesazh për bombë. Alarmet e vazhdueshme kanë bërë që nxënësit të protestojnë para Stacionit Policor të Tetovës. Ata thonë se situata është bërë e padurueshme, pasi po humbin mësimin dhe janë të lodhur nga evakuimet e shpeshta.

 “Si rrjedhojë e pakënaqësisë sonë me dukurinë e bombave të shpeshta, e cila ka ndodhur tetë herë në shkollën tonë dhe paraqet një indikator serioz të cenimit të mbarëvajtjes së mësimit, respektivisht të mosmbajtjes së mësimit, dëmi më i madh u shkaktohet nxënësve. Kjo për ne është e papranueshme dhe kërkojmë nga organet kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe serioze për mbarëvajtjen afatgjatë të procesit mësimor dhe për të parandaluar përsëritjen e këtyre dukurive.”

 “Kemi ardhur sot për të protestuar kundër policisë lidhur me alarmet për bomba. Çdo ditë po na lodhin me hyrje-dalje dhe nuk po mund të zhvillohet mësimi.”

“Alarmet e bombave në gjimnazin e Tetovës vërtet na kanë lodhur. Është hera e shtatë apo e tetë dhe situata ka eskaluar. Jemi të lodhur nga ajo që po ndodh në këtë gjimnaz.”

Ndërkaq, drejtori i gjimnazit e konsideron të papranueshme faktin që policia asnjëherë nuk merr përgjegjësi. Sipas tij, edhe pas kontrolleve që kryhen, autoritetet u thonë vetëm gojarisht se përgjegjësia është e shkollës nëse procesi mësimor vazhdon. Ai kërkon që të ndërmerren masa konkrete, në mënyrë që procesi mësimor të mos ndërpritet.

 “Situata është e padurueshme. Ajo që ndodhi sot është e patolerueshme. Nuk kemi asnjë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa nga SPB Tetovë nuk ka marrje konkrete përgjegjësie. Edhe pse ata vijnë dhe kryejnë procedurat e tyre, ekipet e antiterrorit që duhet të marrin vendime konkrete nuk paraqiten, ndërsa përgjegjësia mbetet te ne. Ata e kryejnë vetëm aspektin protokollar, i cili nuk përputhet me aspektin profesional. E vetmja përgjigje që më jepet si drejtor është se përgjegjësia është e shkollës nëse nxënësit do të vazhdojnë mësimin. Nuk ka mundësi që unë të marr përsipër përgjegjësinë për 1.400 nxënës, kur vetë organi kompetent nuk e merr atë”, tha Jeton kamberi – drejtor i gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’.

Gjimnazi i Tetovës nuk është shkolla e vetme në qytet që është përballur me alarme të rreme për bomba, por këtë vit pikërisht në këtë institucion ato kanë qenë më të shpeshta. Nga drejtoria, protesta dhe bojkoti i mësimit ishin paralajmëruar javë më parë, me arsyetimin se alarmet e vazhdueshme për bomba të rreme dhe mungesa e përgjegjësisë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë që procesi mësimor të ndërpritet pothuajse çdo javë.