Pas tre mandateve të njëpasnjëshme, Fatmir Dehari nuk do të jetë më kryetar i Kërçovës. Në rrethin e dytë të lokaleve fitues doli Aleksandar Jovanovski i VMRO DPMNE-së me një diferencë prej 2020 votash. Në paraqitjen e tij Jovanovski tha se gjatë mandatit të tij nuk do të bëj asnjë lloj ndarje etnike, politike apo fetare.
“Më plotësuat zemrën me atë që ma dhatë besimin. Nuk votuat për mua si maqedonas, votuat për mua për njeri cili do ju sjell ardhmëri më të mirë. Dhe besoni, ajo do të ndodh që nga nesër. Do ta ndjeni kush është vëllai i juaj, kush është fqinji juaj, kush është mjeku juaj, kush është kryetari juaj i komunës. Nuk do të bëj asnjë lloj ndarje etnike, politike apo fetare. Ne të gjithë jemi kërçovarë, jetojmë këtu me shekuj, duam të jetojmë mirë, tha Aleksandar Jovanovski – Kryetar i ri i Kërçovës.
Pak para përfundimit të numrit të votave, mbrëmë Dehari u deklarua se rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk janë të kënaqshme.
“Të dashur qytetarë, shumë të respektuar mërgimtarë. Duke qenë thellësisht mirënjohës për mbështetjen tuaj të parezervë ndër vite, ju falënderoj me përulësi dhe me zemër të hapur. Uroj që i Madhi Zot t’ju bekoj ju dhe familjet tuaja me shëndet e mirësi. Rezultatet e zgjedhjeve lokale për qytetin tonë nuk janë të kënaqshme, por ju lus për qetësi, durim dhe mirëkuptim”, theksoi Fatmir Dehari – Kryetar i Kërçovës në Largim.
Jovansovski mori gjithsej 14228 vota, ndërsa Dehari 12.208.

