Ali Ahmeti anulon aktivitetet partiake në ditën e fundit të fushatës – BDI jep arsyetimin

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton opinionin publik se Kryetari i saj, Ali Ahmeti, më 17 tetor, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara partiake dhe të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare në Tiranë, të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, duke filluar nga ora 17:00, me moton: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”. Ali Ahm eti, i cili ishte i pranishëm edhe në protestën e organizuar në Prishtinë, në cilësinë e bashkëthemeluesit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pranuar ftesën e organizatorëve për të qenë pjesë e kësaj proteste të madhe mbarëkombëtare.

Për BDI-në dhe Kryetarin e saj, lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë, e domosdoshme dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike, perëndimore dhe liridashëse. Paslufta dhe proceset e panumërta gjyqësore, vendore e ndërkombëtare, kanë dëshmuar qartë çiltërsinë e asaj lufte për liri, demokraci dhe pavarësi.

BDI thekson se drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të ndërtohet mbi procese politike të imponuara nga Rusia, as mbi “dëshmi” të fabrikuara nga Serbia. Kryetari Ali Ahmeti është pjesë e pandarë e luftës për lirinë e kombit shqiptar dhe për këtë arsye mbështet fuqishëm protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, duke anuluar të gjitha aktivitetet partiake zgjedhore”, theksohet në komunikatën e BDI.