Gazetar: Suad Bajrami

Në ditët e para të fushatës zgjedhore, Universiteti i Europian i Tiranës e ka nderuar me çmimin Doctor Honoris Causa, kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në sqarimin zyrtar të Universitetit, thuhet se motivacioni i kësaj dekorate ka të bëjë me kontributin e Ahmetit për shqiptarët.

“Ky vlerësimin lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik në Maqedoninë e Veriut”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ndaj çmimit ka reaguar koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it. Bekim Qoku thotë se është bërë zakon tashmë që sa herë afron zgjedhjet Ahmeti të nderohet me ndonjë çmim nderi.

“Por për çfarë nderohet z. Ahmeti? Pikërisht në kohën kur ai përballet me akuza të rënda për bashkëpunim me regjimin e Vuçiqit, përmes shitjes së aksioneve bankare të familjes së tij te njerëzit e afërt të presidentit serb Vuçiq; Shkelje të rënda brenda partisë, ku gjysma e kryesisë është shpallur non-grata nga SHBA, përfshirë edhe krahu i tij i djathtë, Artan Grubi, që sot është në arrati me fletarrest ndërkombëtar, por që për Ahmetin është thjesht “diku në hapësirat shqiptare”. Ai nuk u distancua kurrë nga Grubi, as nga asnjë bashkëpartiak i tij Nongrata”, thekson Qoku në reagimin e tij.

Kjo nuk është dekorata e parë që Ahmeti e merr në prag ose gjatë fushatës zgjedhore.

Në dhjetor të vitit 2016, në ditën e parë të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, në qendër të Shkupit Ahmeti ishte dekoruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi, nën arsyetimin se kjo ka të bëjë me përvjetorin e 108 të themelimit të Alfabetit shqip.

Në zgjedhjet e majit të vitit 2024, derisa Ahmeti kritikonte se Albin Kurti po ndërhyn në zgjedhjet e Maqedonisë, në Tiranë u ftua për t’u shpallur “Qytetar nderi”, në mes të fushatës zgjedhore. Çmimin ia dorëzoi personalisht Erion Veliaj, ndërsa fjalim mbajti edhe kryeministri Edi Rama. Pak javë më parë para kësaj ngjarje, Ahmeti ishte shpallur edhe qytetar nderi i Komunës së Prizrenit. /Alsat.mk

The post Ali Ahmeti dekorohet me çmimin Doctor Honoris Causa / Qoku: Është bërë zakon që sa herë afrojnë zgjedhjet Ahmeti të nderohet me ndonjë çmim appeared first on Alsat.