Ali Ahmeti dhe Arjanit Hoxha shtrinë dorën e bashkimit!

Pas thirrjes së BDI-së për bashkimin e partive që ndajnë të njëjtin vizion për përfaqësimin dinjitoz dhe të ardhmen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kreu i integrisëtve dhe ai i PDE-së, u takuan dhe ranë dakord që PDE të kalojë në BDI!

“Palët u dakorduan që në të ardhmen të funksionojnë si një subjekt i vetëm politik në kuadër të Bashkimit Demokratik për Integrim si partia më e konsoliduar dhe e organizuar shqiptare në vend duke i bashkuar kapacitetet organizative, programore dhe njerëzore, në shërbim të interesit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksojnë në komunikatën e përbashkët të BDI-së dhe PDE-së.

U kumtua po ashtu që zyrtarizmi i këtij vendimi, si dhe detajet organizative dhe procedurale të integrimit, do të bëhen publike pas miratimit formal nga Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së.

Por a do të bëhet Arjanit Hoxha nënkryetar i BDI-së, siç përflitet?

“Tani ne nuk kemi folur për ato detaje. Nuk do të ishte korrekte të flitet për këtë situatë. Gjithsesi ato janë pozicione që vendosen në organe partiake. Kështu që t’ia lëmë kohës dhe të shohim se si do të jenë pozicionimet. Por e ritheksoj se pak është i rëndësishëm pozicionimi individual, sa është e rëndësishme ajo për të cilën edhe unë angazhuar që strukturat partiake të PDE-së ashtu siç janë funksionale në të gjitha 17 degët partiake, të përfshihen dhe të funksionojnë në kuadër të kësaj organizate politike”, deklaroi për TV21, Arjanit Hoxha – kryetar i PDE-së.

Por si e sheh Hoxha faktin që asnjë parti tjetër përveç të tijës, nuk e pranoi ftesën për t’u shkrirë në BDI?

“Po me siguri tani për kalkulime të natyrave të ndryshme, ndoshta edhe pse disa prej tyre kanë deputetë, i bëjnë matematikat e tjera, por besoj se në fund kjo do të jetë rruga që do të duhet ndjekur pasi që shqiptarët në RMV sidomos pas këtyre rrethanave politike që ndodhën në 2 vitet e fundit do të imponojnë që të ketë një strukturë jashtëzakonisht të fuqishme politike, që për fatin e mirë ose të keq, sido që ta komentojë dikush, BDI-ja është dhe mbetet partia më e organizuar shqiptare”, u shpreh për TV21, kryetari i PDE-së, Arjanit Hoxha.

Dy partnerët e BDI-së në kuadër të koalicionit AKI, Arben Taravari i ASH-së dhe Skënder Rexhepi – Zejdi i Lëvizjes Populli, tashmë i kanë thënë “jo” thirrjes për shkrirjen e subjekteve të tyre në BDI.