Ali Ahmeti nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është nderuar sot me titullin akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.

Në fjalën e tij, Ahmeti u shpreh se ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për sigurimin e të drejtave, ndërtimin e paqes dhe avancimin e vendit drejt integrimit euroatlantik.

“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se mbetet i vendosur për të vazhduar angazhimin në çështjen kombëtare dhe në perspektivën evropiane të vendit.

Ky titull vjen si njohje e kontributit politik dhe shoqëror të Ahmetit në proceset demokratike dhe ndërtimin e paqes në rajon. (INA)