Ali Ahmeti nga Çairi: Më 19 tetor të votojmë për Çairin e vërtetë me Bujar Osmanin

Lideri Ali Ahmeti, mbajti një fjalim të fuqishëm në tubimin e organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në komunën e Çairit, ku shprehu mbështetjen e plotë për kandidatin Bujar Osmani dhe njëherazi dërgoi një mesazh të qartë për qytetarët e zhgënjyer.

“Bujarit i ka rënë një barrë shumë e rëndë, të bëjë ndryshimin e ndryshimit të rrejshëm. Nuk është e lehtë.”, deklaroi Ahmeti, duke vlerësuar kurajon dhe përkushtimin e Osmanit për të rikthyer shpresën te qytetarët, njofton TS.

Ai tha se në takimet me njerëzit ka ndjerë zhgënjimin e thellë të atyre që dikur votuan për “ndryshim”, por morën si shpërblim “poshtërim”.

“Unë kam pasur shumë takime me njerëz që kanë votuar për ‘Vlen-in dhe tani thonë LEN. Votuam për ndryshim, por morëm poshtërim. Janë të zhgënjyer deri në palcë e megjithatë, nuk janë dorëzuar”, theksoi Ali Ahmeti.

Ahmeti theksoi se më 19 tetor është momenti i duhur për t’u rikthyer në rrugën e dinjitetit dhe zhvillimit, duke votuar për Çairin që e meriton populli shqiptar.

“Unë, Bujar Osmani, dua t’i ftoj të gjithë ata që kanë menduar se do të vinte ndryshimi, por përjetuan vetëm poshtërim të shqiptarëve. Ky është momenti i duhur. Jemi në një çast vendimtar. Më 19 tetor, le ta marrim fatin në dorë dhe të votojmë për Çairin e vërtetë për një Çair evropian, një qytet të dijes, të kulturës, me universitete dhe të ardhme”, theksoi Ahmeti.

Tubimi i AKI-së në Çair u vlerësua si një ndër më të mëdhenjtë e mbajtur në këtë komunë gjatë fushatës, me një pjesëmarrje masive dhe atmosferë entuziaste për ndryshimin e vërtetë./TS