Aliu: Ministria e Shëndetësisë pajiset me 8 vetura elektrike falë grantit nga Qeveria e Koresë

Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Koresë, përmes një granti ndihme, ka siguruar tetë automjete moderne elektrike, së bashku me instalimin e stacioneve për karikim elektrik.

“Bashkë me ambasadorin e Republikës së Koresë, Dong-bae Kim, sot realizuam dorëzimin e tre automjeteve të para nga granti, ndërsa deri në fund të muajit presim të mbërrijnë edhe pesë automjete të tjera, me çka do të përmbyllet plotësisht donacioni prej gjithsej tetë automjetesh elektrike. Kjo mbështetje e rëndësishme nga Republika e Koresë paraqet një hap të madh drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe do të mundësojë funksionim më efikas, më ekonomik dhe më ekologjik të shërbimeve inspektuese,” deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit, ministri Aliu shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Republikës së Koresë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin në forcimin e kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor.