Gazetar: Mihaillo Donev
“Derisa shkarkimi i Kocevskit është gjithnjë e më i sigurt, jozyrtarisht tashmë po spekulohet edhe me emrat e atyre që mund të jenë pasardhësit e tij. Siç mëson Alsat, prokurorët Zllatko Bikovski, Vlladimir Millosheski dhe Jovan Cvetanovski janë kandidatët më seriozë për pozitën e Prokurorit publike të shtetit”, raporton gazetari i Alsat, Mihaillo Donev
Bikovski ishte në fokusin e opinionit si një nga tre prokurorët ndaj të cilëve u zhvillua procedurë disiplinore, pasi thuhet se si prokuror nuk ndërmori veprime për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, ndërsa vitin e kaluar u avancua në Prokurorinë republikane.
Vlladimir Millosheski është prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit, i cili nga viti i kaluar është vendosur edhe në krye të departamentit të ri në Prokurorinë e Shkupit për ndjekjen e krimit serioz dhe të ndërlikuar. Jovan Cvetanovski është koleg i tij në Prokurorinë e Lartë Publike të Shkupit, por është pezulluar nga pozita për shkak të një shkelje të rëndë disiplinore që thuhet se e ka bërë gjatë punës së tij.
Derisa Alsat arriti t’i mësojë këto emra, nga Qeveria nuk duan të spekulojnë, duke thënë se së pari duhet të përfundojë procedura për shkarkimin e Kocevskit, pastaj do të zgjidhet prokurori i ri.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju informojmë se këto janë procese për të cilat si Qeveri do të informojmë me kohë. Është e nevojshme të përfundojë një proces, që të fillojë një tjetër”, thonë nga Qeveria.
Qeveria më herët këtë javë e riaktivizoi propozimin për shkarkimin e Kocevskit dhe e dërgoi në Kuvend. Nëse Kocevski shkarkohet me shumicë të thjeshtë në Kuvend, Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet menjëherë të caktojë ushtrues detyre Prokuror të Përgjithshëm deri sa të zgjidhet zëvendësimi i tij.
Këshilli i Prokurorëve Publikë më pas në seancë merr vendim për shpalljen e konkursit me kohëzgjatje prej 15 ditë, ku mund të konkurrojnë prokurorë nga të gjitha nivelet me të paktën 10 vite përvojë pune, si dhe gjykatës nga fusha e së drejtës penale, gjithashtu me të paktën 10 vite përvojë.
Pas përfundimit të afatit prej 15 ditë, Këshilli i Prokurorëve Publikë zhvillon intervista me kandidatët dhe për ata që i konsideron më të mirë dërgon mendimin e vet në Qeveri. Më tej, Qeveria zgjedh kandidatin që e konsideron më të përshtatshëm dhe propozimin e dërgon në Kuvend, ku në seancë plenare zgjidhet prokurori i ri. Për zgjedhjen e Prokurorit të ri të përgjithshëm të shtetit nevojiten 61 vota në Kuvend./ Alsat.mk
The post Alsat mëson: Prokurorët Bikovski, Millosheski dhe Cvetanovski kandidatë për pasardhës të Kocevskit appeared first on Alsat.
