Partia opozitare LSDM ka ngritur kallëzim penal kundër guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, dhe disa zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni, lidhur me rastin e Alta Bankës në Manastir. Partia i akuzon për punë të pandërgjegjshme dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke pretenduar se nuk kanë verifikuar origjinën e kapitalit, pronësinë dhe rreziqet para dhënies së pëlqimit për hyrjen e bankës në tregun maqedonas.

“Së pari, përgjegjësi penale sipas Kodit Penal. Trajko Sllaveski dhe personat e kallëzuar akuzohen se, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre, si dhe moskryerjes së mbikëqyrjes së detyrueshme, gjatë periudhës nga gjysma e dytë e vitit 2025 deri në tetor/nëntor të vitit 2026, kanë kryer veprat penale: “Punë e pandërgjegjshme në shërbim”, sipas nenit 353-v, dhe “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, sipas nenit 353. Së dyti, përgjegjësi për miratimin e marrjes në pronësi dhe mbikëqyrjen, sipas Ligjit për Bankat”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq

Nga ana tjetër, Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, akuzoi LSDM-në dhe kryetarin e saj, Venko Filipçe, duke pretendon se banka nuk kishte ndalesë për të operuar në BE dhe si dëshmi përmendi pronësinë e 9,63 për qind të aksioneve në Addiko Bankën austriake, si dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Raiffeisen Bankën.

“Alta Banka hyri në Maqedoni si bankë që kishte pjesëmarrje në një bankë në BE. Tetë muaj pasi Alta Banka hyri në Maqedoni, banka amë nga Serbia nënshkroi marrëveshje me Raiffeisen Bankën nga Vjena, e cila është një nga bankat më të mëdha dhe më të njohura në BE. Alta Banka dhe Raiffeisen Banka arritën marrëveshje që, pas marrjes së Addiko Bankës nga Raiffeisen Banka, kjo e fundit t’ia shiste filialet e Addikos në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi Alta Bankës”, tha Valentin Manasievski.

Manasievski kërkoi që Prokuroria Publike të nisë hetim dhe procedurë kundër Filipçes, me pretendimin se deklaratat e tij synonin të shkaktonin tronditje në tregun financiar. Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, gjatë seancës mbikëqyrëse në Kuvend për Alta Bankën në Manastir, nuk dha përgjigje konkrete nëse Prokuroria ka hapur procedurë për këtë rast. Ai deklaroi se institucioni vepron sa herë që konstaton elemente të veprës penale, por theksoi se nuk mund të flasë për procedurat parahetimore, pasi janë të fshehta. Ndërsa, lidhur me pretendimet për dëshmi të rreme nga kryeministri Mickoski, kërkoi që provat të dorëzohen në Prokurori.