Alternativa, pjesë e koalicionit qeverisës VLEN mohon se është duke zhvilluar komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj, transmeton TV21.

Nëpërmjet një kumtese për media të lëshuar para pak minutash, nga Alternativa thonë se nuk kanë arsye të zhvillojnë komunikime me BDI-në, pasi siç thonë, “është regjistruar në listën e zezë amerikane”.

Nga AAA përfundojnë duke thënë se mbeten konistentë ndaj qëndrimeve të VLEN-it.

“Me qëllim të sqarimit për opinionin, por edhe për të qenë korrekt me organet e strukturat partiake, si edhe me anëtarësinë dhe mbështetësit, deklarojmë publikisht se AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe kryetarin e saj.

Përtej kësaj, AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave nongrata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin.

Duke mbetur konsistentë në qëndrimin se VLEN-i është koalicion i ndërtuar për afirmimin e vlerave të moralit të ri politik dhe për vendosjen e standardeve të reja politike, AlternAtivA vlerëson se adresa e mbrojtjes së interesave shqiptare është duke komunikuar me popullin dhe duke i mbrojtur interesat e tyre në mënyrë të përpiktë dhe dinjitoze”, thuhet në kumtesën e AAA-së, transmeton TV21.